Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka bërë një reagim lidhur me 5-vjetorin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit, raporton Gazeta10.
Kurti në këtë dedikim ka thënë se Ivanoviqi “ishte një person i përkushtuar për të luftuar për të drejtat e komunitetit dhe qytetit të tij”.
Tutje Kurti në këtë video thotë se, Oliver Ivanoviqi ishte i sinqertë, i respektueshëm duke shtuar se do dëshironte që kujtimi i tij të mbetej gjallë dhe se vrasja e tij vrau edhe pluralizmin politik të serbëve në Kosovë.
“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka thënë kryeministri në video-mesazhin e tij për përkujtimin e Oliver Ivanoviqit.
Por, çfarë kishte thënë Kurti për Oliver Ivanoviqin para se të vinte në pushtet?
Në një intervistë të dhënë për një mediumin të Bosnjës, TV21 e cila më pastaj u publikua edhe në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, Kurti e kishte quajtur Ivanoviqin kriminel lufte.
“Mendoj se Oliver Ivanoviqi ishte edhe kriminel luftë. Ai është dënuar me 9 vjet burg për këtë arsye nga ana e gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë. Mirëpo ai ka qenë një kriminel i atillë që me gjasë ishte penduar për të bëmat e tij dhe mbase kishte pranuar të bëhej dëshmitar”, kishte thënë Kurti.
Por, në deklaratat e djeshme kryeministri Kurti ra në kundërshtim me mendimet e dhëna për politikanin serb në atë kohë, pasi që dje ai e lartësoi figurën e tij duke e përkujtuar edhe përmes një video-mesazhi e duke i thurur lavde figurës së tij.
Madje, në përkujtimin e tij, Kurti tha se Ivanoviqi punoi për një Kosovë multietnike, pra krejtësisht në kundërshtim me atë që kishte thënë vite më parë se “ai është një kriminel lufte”.
Si ndodhi rasti i Oliver Ivanoviqit?
Oliver Ivanoviqi është vrarë me 16 janar të vitit 2018, me gjashtë plumba para shtëpisë së tij dhe selisë së partisë së tij gjatë kohës kur ishte së bashku me gruan e tij.
Edhe pas pesë vjetëve të vrasjes së Ivanoviqit, ende askush nuk është dënuar për këtë rast.
Tre dëshmitarë tashmë janë tërhequr nga dhënia e dëshmisë për këtë rast.
Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, në të cilat nuk ka pasur ndryshime të mëdha thelbësore.
Aktakuza janë ngritur kundër Nedelko Spasojeviqit (ish-oficer policie), Marko Roshiqit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviqit (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviq), Dragisha Markoviqit (ish-oficer policie), Zharko Jovanoviqit (ish-oficer policie) dhe Rade Basaras (ish-oficer policie).
Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (ish-shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen).
Ndaj këtyre të fundit nuk është ngritur aktakuzë pasi ata kanë qenë në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën e parë.
Në aktakuzë përmenden Radoiçiq dhe Vesellinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal” që ka planifikuar vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.
Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre./Gazeta10