
Komentatori politik Arton Demhasaj është shprehur i bindur se vendi do ta zgjedhë presidentin para përfundimit të afatit ligjor, duke theksuar se shumica qeverisëse nuk do ta rrezikojë pushtetin për shkak të këtij posti.
Duke folur në emisionin Adresa në televizionin Kanal10, Demhasaj tha se nuk është e besueshme që një qeveri me 51% të votave të rrezikojë shkuarjen në zgjedhje të reja për çështjen e presidentit, kur rezultati elektoral mund të jetë i paparashikueshëm.
“Sipas meje, nuk është e besueshme që një qeveri me 51% të votave ta rrezikojë pushtetin për postin e presidentit dhe të shkojë në zgjedhje, kur rezultati mund të jetë befasues. E gjithë kjo situatë më shumë duket si lojë politike e Kurtit ndaj opozitës. Në fund besoj se do të zgjidhet një kandidat i pranueshëm për të gjitha palët,” u shpreh Demhasaj.