
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar si skandaloz dhe të padrejtë vendimin e Gjykatës së Pejës për dënimin me 7 vite e gjashtë muaj burgim Shaban Gogajn për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetajt, raporton Gazeta10.
Haxhiu ka thënë se ky proces është zhvilluar me shumë probleme.
Më tej, Haxhiu ka thënë se ajo nuk ka mandat të ndërhyjë në këto tema mirëpo është e shqetësuar për administrimin dhe shkallën e dënimit.
Tutje, Haxhiu ka bërë thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për vrasjen e Agonist Tetajt.
Këtu keni statusin e plotë:
“Një djalë i ri, në një ditë normale e në vendin e tij të punës, vritet tragjikisht.
Procesi gjyqësor ndaj personit të dyshuar është zhvilluar me shumë probleme dhe është karakterizuar me shumë çështje që e kanë penguar një proces të drejtë dhe efikas.
Si ministre e Drejtësisë nuk kam mandat e as intencë për të ndërhyrë në asnjë rast gjyqësor, mirëpo është e domosdoshme të theksohet se sikur opinioni publik, jam e shqetësuar me mënyrën e administrimit të këtij procesi, përfshirë këtu edhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm. Është vendim i padrejtë e skandaloz!
Shteti i së drejtës kërkon vendosmëri të personave që ushtrojnë detyrën zyrtare në organet që janë bartëse të sistemit të drejtësisë. Pra, kemi nevojë për prokurorë të ndershëm e profesionistë që me precizitet hetojnë rastet dhe po ashtu gjyqtarë që marrin vendime brenda suazave të ligjshmërisë dhe në përputhje me provat e faktueshme të rastit.
Në këtë drejtim, bëj thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore.
Aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo!”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook. / Gazeta10