
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
LDK-ja ka tërhequr propozim-rezolutën për pezullimin e rritjes së tatimit në pronë, për t’u harmonizuar dhe për ta sjellë sërish në Kuvend. Mirëpo, gjatë debatit, deputetët e opozitës kanë kritikuar Qeverinë për ngarkim të qytetarëve me rritje të tatimit, derisa pozita ka thënë fajtorë projektligji i vitit 2018 i cili ka shumë defekte.
Është shtyrë për një seancë tjetër propozimi i LDK-së për pezullimin e vendimit për rritjen e tatimit në pronë.
Pas një debati të zhvilluar, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar tërheqjen e propozim-rezolutës së tyre nga rendi i ditës, për harmonizimin e qëndrimeve dhe daljes me një propozim të përbashkët.
Gjatë diskutimeve, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se problemi me rritjen e tatimit në pronë është shkaktuar nga niveli qendror, për çka ka kërkuar nga ministri i financave të njëjtin vendim ta sjell në Kuvend.
Dyfishimi i faturave të tatimit në pronë ka qenë i pavend sipas opozitës sidomos në kohën kur inflacioni ende në rritje.
Por ndryshe po mendojnë deputetët e Vetëvendosjes.
Deputeti i saj, Armend Muja, ka thënë se ngarkesë për qytetarët është që projektligji i vitit 2018, ka në vete defekte të shumta.
Kritikave të opozitës iu është përgjigjur i pari i dikasterit të financave Hekuran Murati.
Në janar të këtij viti Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për rritjen e faturave të tatimit në pronë, për çka reagime ishin ngjallur nga partitë opozitare, shoqëria civile dhe qytetarët e vendit.