
Derisa kryeministri i vendit, Albin Kurti është në Bruksel ku pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqi, deputeti i kësaj partie, Arbër Rexhaj për Kanal10 ka theksuar edhe një herë se si parti ata janë për ta përmbyllur çështjen e dialogut.
Rexhaj, ka theksuar edhe një herë qëndrimin e partisë së tij duke thënë se plani evropian është një bazë e mirë për dialog.
“Ky takim vie në bazë të takimeve të tjera, iu i keni pa edhe deklarata e ndërmjetëseve që kanë thënë se duhet të ketë zhvillime edhe të mëtejshme në këtë proces. Sigurisht ne kemi thënë se plani franko gjerman është bazë e mirë për ta zhvilluar dialogun më tutje dhe sigurisht që në konturat e asaj cfraë kemi thënë jemi për ta përmbyllur çështjen e dialogut, pa çështjen e Asocaiconit ap Zajendicës e cila e defunksionalizon sistemin brenda Republikës së Kosovës.”, ka thënë ai.
Por, deputeti i VV-së ka thënë se ky draft sot do të negociohet dhe se nuk do të jetë merr ose lëre.
“Njëra nga pikat brenda draftit evropian është edhe zbatimi i marrëveshjeve të kaluara e ndër to marrëveshje është edhe Asociacioni, ne kemi thënë se ky draft franko-gjerman nuk është merr ose lëre po do të jetë draft i negociueshëm. Plani franko-gjerman nuk specifikon asgjë, kryeministri Kurti ka dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e veta dhe mendoj se sot do të jetë i negociueshëm”, ka thënë deputeti.
Rexhaj ka thënë se partia në pushtet e ka problemin tek Asociacioni, por që ai beson ‘’fuqishëm në të mirën të cilën mund ta nxjerr Kurti nga ky takim’’.
“Vetëvendosja e ka problemin tek Asociacioni, në shumë pika tjera pajtohet, por s’mundesh të pajtohesh me çka do që të vihet në tavolinë. Në këtë kuptim mendoj se ka progres dhe synohet progres edhe në takimin e sotëm. Ky është dialog ka edhe strategji. Besoj fuqishëm në të mirën që mund t’a nxjerr sot z.Kurti por edhe në takimet e radhës.”, ka përfunduar ai.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti po qëndron në Bruksel, ku do të takohet me zyrtarin e lartë të BE-së, Joseph Borrell dhe pastaj edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqi për të diskutuar për hapat e ardhshëm në dialog dhe planin evropian./Gazeta10