
Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10
Mbi 1700 pacientë janë duke pritur për operim të gjurit në Klinikën e Ortopedisë në QKUK. Kjo klinikë tashmë ka një listë të gjatë të pritjeve që nga viti 2018. Sipas udhëheqësve të kësaj klinike ky problem ka ardhur për shkak të mungesës së anesteziologëve dhe sallave. Derisa, pacientët thonë se ka pesë vite që janë duke pritur e lëvizja së paku për nevoja personale ka filluar t’iu vështirësohet.
Duke pritur tri vjet për të vendosur protezë në gjurin e njërës këmbë, nga pesha iu dëmtua edhe këmba tjetër.
Qamil Mejzinolli, që nga viti 2020, nuk mundi të operojë gjurin në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Ai thotë se disa herë u ftua nga komisioni vlerësues, por mundësinë për t’u operuar nuk ia dhanë asnjëherë.
Me probleme të njëjta si Mejzinolli, dhjetëra pacientë të premten kanë pritur me orë të tëra në korridoret e Klinikës së Ortopedisë, për t’iu caktuar një termin.
Por, pacientët kanë thënë se për shkak të mungesës së protezave dhe anesteziologëve nuk u është bërë zgjidhje për t’u mundësuar intervenimin.
E për një termin të tillë në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, Mejreme Gërguri, është duke pritur tash e pesë vjet.
Që nga 2018 në listën pritjes janë rreth 1700 pacientë që po presin për ndërhyrje kirurgjike.
Nga Klinika e Ortopedisë kanë thënë se ky numër është grumbulluar si shkak i mungesës së anesteziologëve dhe mungesës së sallave.
Për këtë gjendje të rëndë në klinikë, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Kanal10.
Ndryshe, për listën e gjatë të pritjeve, duhen dy vjet të tëra për t’i kryer të gjithë pacientët, duke mos përfshirë rastet e reja që çdo ditë paraqiten.