
Dëshmitarja Tiana Viqentijeviq, e thirrur nga pala mbrojtëse në rastin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, ka deklaruar se e kishte takuar axhën e saj, Jovan Viqentijeviq, në mbrëmjen për të cilën po dëshmonte, pak para se ai të nisej për në punë.
Ajo tha se Jovani kishte ardhur në Zubin Potok për t’u sjellë vezë nga fshati dhe se, pas një bisede prej 10 deri në 15 minutash, ishte nisur për në vendin e punës, në ujësjellësin e Ujmanit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Millosh Deloviq, mbrojtës i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, dëshmitarja tha se e kujtonte takimin me Jovanin.
“Po më kujtohet, Jovanin atë ditë e kam parë sepse atë ditë është përgatitur për të shkuar në punë, pra është nisur në punë sepse në orët e pasdites vjen në shtëpi në katin e tij që të përgatitet që të shkojë në punë. Atë ditë ai ka ardhur në Zubin Potok është kthyer tek ne na ka sjellur vezë nga fshati dhe unë si çdo herë tjetër e kam thirrur që të na vizitoj. Ai ka thënë që po shkoj të përgatitem dhe nesër kam kohë vi të ju vizitoj. Ka ardhur, kemi biseduar 10-15 minuta duke pirë çaj dhe pas kësaj është nisur për punë”, tha ajo.
Dëshmitarja dha edhe detaje për kohën kur Jovani kishte ardhur dhe ishte larguar nga shtëpia, duke thënë se ai kishte shkuar në punë me një koleg.
“Ka ardhur rreth orës 18:10, është bërë gati dhe 10-15 min pas saj ka ardhur tek ne. Kur kemi pirë çaj ka qenë afër orës 19:00. Ndërrimi tij fillon nga ora 20:00, vendi i tij i punës është në ujësjellësin e Ujmanit. Ka shkuar me kolegun i cili e ka pritur dhe së bashku kanë shkuar në punë”, tha ajo.
E pyetur se si kishte mundësi ta kujtonte atë ditë, Tiana Viqentijeviq tha se arrestimet e dy axhallarëve të saj, Dragishës dhe Jovanit, kishin ndodhur një ose dy ditë pas takimit.
“Më kujtohet ajo ditë dhe nuk ka mundësi se si të mos më kujtohet, për arsye se një apo dy ditë pas është arrestuar axha im Dragisha e më pas edhe axha Jovani”, tha ajo.
Tiana Viqentijeviq është e afërme e Jovanit dhe Dragishës Viqentijeviq, të cilët janë vëllezër dhe të akuzuar në rastin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
Prokuroria Speciale, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë Kundër Terrorizmit, dhe partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviqit.
Ata akuzohen për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, në lidhje me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”. Në aktakuzë përfshihen edhe akuzat për armëmbajtje pa leje dhe spiunazh.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit, të pandehurit Viqentijeviq, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur dhe pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit trinitrotoluen (TNT) brenda kanalit.
Sipas Prokurorisë, lënda shpërthyese është aktivizuar përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni. Si pasojë, është dëmtuar rëndë struktura prej betoni e kanalit, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” i është shkaktuar dëm prej 376 mijë e 774.70 eurosh.
Jovan Viqentijeviq ngarkohet edhe me spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës, Jovan Viqentijeviq, deri në momentin e arrestimit, kishte vepruar në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, me gradën e kolonelit, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim të përdorimit të tyre gjatë aktiviteteve të kundërligjshme në territorin e Kosovës.