
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka thënë se Kosova duhet të anëtarësohet në Interpol, raporton Gazeta10.
Osmani ka thënë se hapësira vepruesve vetëm sa po rritet se kjo po e krijon një ambient të pasigurtë.
“Hapësira vepruese për trafikuesit vetëm sa është rritur në këtë vit duke pasur parasysh edhe krizën globale që është shkaktuar si rrjedhojë e luftës ilegale të Rusisë kundër Ukrainës që ka cenuar rëndë rendin global dhe ka ndikuar që bota përgjithësisht të shndërrohet në ambient të pasigurtë. Ajo e ka zgjeruar shumëfish edhe terrenin për trafikantët me qenie njerëzor”, ka thënë Osmani.
Tutje, Osmani ka përmendur edhe rrethanat që e ndikojnë trafikimin me qenie njerëzore.
“Kriza e refugjatëve e krijuar si pasojë e luftës, kriza energjetike, parametrat e ndryshuar ekonomik, tendencat destabilizuese si dhe sfidat e sundimit të ligjit gjithandej globit kanë mundësuar hapësirë gjithnjë e më të favorshme për trafikim me njerëz”, është shprehur Osmani.
Osmani ka bërë thirrje që Kosova të anëtarësohet shpejt në mekanzimat ndërkombëtar në mënyrë që të ketë një luftë më të mirë të trafikimit me njerëz.
“Prandaj dua të bëjë thirrje edhe sot për anëtarësim të shpejt të Kosovës në gjithë mekanizmat ndërkombëtar duke kërkuar përkrahjen e të gjitha vendeve. Ky anëtarësim është parakusht për suksesin tonë në luftimin kundër trafikimit me njerëz”, ka thënë Osmani.
Më tej, Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe Këshillin e Evropës do ta vuloste përpjekjen për luftimin e këtij aktiviteti kriminal.
“Anëtarësimi në Inteprol dhe Këshillin e Evropës do të vuloste përpjekjet tona për luftim të krimit të organizuar dhe rrjetit të trafikantëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të fuqizonte përpjekjet tona për përparim të mëtejmë duke i dhënë përparësi edhe miratimit të masave e procedurave të veçante për identifikimin e viktimave të trafikimit dhe ofrimin e ndihmës së duhur”, është shprehur Osmani. / Gazeta10