
Që nga fillimi i vitit, partitë e djathta dhe politikanët në Serbi kanë investuar të paktën 7.000 euro në reklama në Facebook kundër planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një analizë e Radios Evropa e Lirë tregoi se janë paguar gjithsej 48 reklama kundër këtij plani.
Reklamat me pagesë kundër planit evropian u shfaqën midis 8.1 dhe 9.4 milionë herë në Facebook dhe Instagram, kryesisht për audiencën mashkullore.
Reklamat u publikuan në faqet në Facebook të lëvizjes së djathtë Dveri, liderit të kësaj lëvizje Boshko Obradoviq, liderit të Partisë së Re Demokratike të Serbisë (Novi DSS) Milosh Jovanoviq, Lëvizjes për Rivendosjen e Mbretërisë së Serbisë (POKS), si dhe faqen e POKS Beçej, e cila është degë e POKS-it.
Dveri, POKS dhe Novi DSS janë tri nga katër partitë parlamentare që organizuan protesta në mars, ku kërkuan refuzimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Reklamat me pagesë në rrjetet sociale ndodhin në momentin kur është duke u pranuar Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën partitë e djathta e kundërshtuan – si në rrjetet sociale ashtu edhe në rrugë.
Marrëveshja u pranua për herë të parë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të shkurtit në Bruksel, dhe për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes u pajtuan më 18 mars në Ohër. /Gazeta10/