
Tanya Domi, profesoreshë e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Columbia në Nju Jork, thotë se SHBA-së i duhet një qasje e re diplomatike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të përfshinte sanksionet për aktorët jokonstruktivë.
Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ekspertja për Ballkanin thotë se ka pasur një zhgënjim me politikën e jashtme të administratës Biden, kur bëhet fjalë për Kosovën, pavarësisht mbështetjes së tij historike për të.
“Një nismë e re diplomatike që mund t’i angazhojë palët në një mënyrë që nuk është aplikuar më herët” është më se e nevojshme, sipas Domit.
“Dua të them se qasja e vazhdueshme e BE-së ka qenë një dështim në këtë dialog”, tha ajo.
E pyetur se cila do të ishte ajo “qasje e re”, që duhet përdorur në dialog, ajo shtoi:
“Politika e sanksioneve mendoj se do të duhej të ishte pjesë e nismës së re. Deri më tash ka pasur vetëm ujë që ka rrjedhur – kanë menaxhuar, por nuk kanë iniciuar. Dhe, mundësia për ta rishikuar këtë dhe për t’u angazhuar me një qasje tjetër, do të duhej të ishte një ndërmarrje e madhe”, deklaroi ajo.