Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Dorëheqja e policëve serbë nxitë reagime

Gazeta10
18 August 2023 - 19:06

Raporti: Egzona Shala

Dorëheqjet e serbëve nga Policia e Kosovës kanë zgjuar reagime të shumta në vend.

Një veprim të tyre, e ka cilësuar si shqetësues edhe ministri për Komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

Ai ka thënë se policët e rinj e kanë filluar dhe përfunduar karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre, por edhe ndaj familjarëve.

“Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’ që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese. Në 11 vjetët e fundit të mbijetesës dhe qëndrimit tonë këtu i janë bërë dëme të pariparueshme dhe sigurisht që nuk mbaron me kaq, na thonë se do të ‘luftojnë’ deri në serbin e fundit kosovar.”, ka thënë Nenad Rashiq.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, njëherësh anëtar i komisionit për çështje të sigurisë, ka thënë se dorëheqja e policëve serbe ka ardhur si pasojë e presioneve nga Beogradi.

Sipas tij, veprime të tilla më së shumti dëme po i sjellin komunitetit të tyre që jetojnë në Kosovë, duke mos i lënë të integrohen në vendin ku ata jetojnë.

Kurse, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se këto largime të policëve serbë  vijnë edhe si pasojë e mungesës së bashkërendimit të qeverisë me ndërkombëtarët.

Ndryshe, në muajin korrik, janë rekrutuar 75 policë të rinj nga komunitetet, prej tyre 46 serbë, derisa një muaj pas nisjes së detyrës, shtatë prej tyre tashmë janë dorëhequr.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.