
Samka Drançolli, nga Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës, ka dëshmuar si dëshmitarja e dytë në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.
E pyetur nga anëtarët e komisionit nëse kishte qenë e përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt apo të fëmijës së saj, Drançolli tha se çështja nuk ishte diskutuar në mbledhjen e mbajtur më 22 tetor.
Ajo sqaroi se në atë mbledhje ishin diskutuar raste të tjera dhe ishin dhënë rekomandime.
E pyetur pse nuk ishte thirrur një mbledhje e veçantë për rastin, Drançolli tha se ajo nuk kishte kompetencë të thërriste mbledhje të tilla pa kërkesë nga institucionet përkatëse.
“Unë nuk mund të thërras mbledhje të veçanta. Nëse institucionet e kërkojnë, kur është në pyetje ndonjë rast i veçantë, atëherë mbahet mbledhja”, deklaroi Drançolli.
Drançolli foli edhe për çështjet e diskutuara në atë mbledhje, ku ishte ngritur një shqetësim nga prokurorja lidhur me një raport të pranuar nga Durim Durim Kelmendi, udhëheqës i Qendrës për Punë Sociale në Pejë.
“Prokurorja e ka ngritë atë. Prokurorja e ka ngritë sikur që i ka ardhur raporti nga Durimi, edhe pse ajo nuk ka të bëjë me fëmijën konkretisht, mirëpo është interesuar dhe i kanë marrë hapat e duhur sipas deklaratës, sipas raportit. Edhe Durimi ka thënë që është marrë me rastin, është munduar në atë mënyrë, në pjesën e vet të tij të merret me fëmijën, mirëpo është mosha madhore mbi 12 që fëmija vetë vendos dhe i takon babës faktikisht”, deklaroi Drançolli.
Sipas saj, në të njëjtën mbledhje prokurorja kishte rekomanduar që të punohej gradualisht me fëmijën, me qëllim të rikthimit të besimit të tij.