
Emisioni “Kampionët” vjen edhe këtë javë në ekranet tuaja për të trajtuar tema të ndryshme, gjersa kësaj here do t’ia kushtojmë kohën ngjarjeve të fundit te Drita.
Në studio është i pranishëm edhe analisti i emisionit “Kampionët”, Bekim Isufi, i cili periudhë të gjatë të karrieres së tij si lojtar dhe si trajner ia ka kushtuar Dritës.
Ai komentoi këto ngjarje të fundit të ndodhur te Drita, duke thënë se asnjëra palë nuk mund të bëjnë mirë pa njëra-tjetrën.
“Drita pa ‘Intelektualët’ nuk bën, e njejtë edhe këta të fundit s’mund të bëjnë mirë pa Dritën, pasi ajo është pjesë e tyre e jetës” – tha ai.
Tutje, Isufi dha edhe një mesazh për dy taboret.
“Duhet gjetur një gjuhë e përbashkët, të ulen në tavolinë e të gjejnë një pikë të përbashkët që i bashkon. Është vetë DRITA që në fund të ditës i bën bashkë. Mirëpo, duhet të them se tifozët duhet të dijnë vendin e vetë. Ata duhet të kenë kërkesa aq sa u lejohet, por edhe drejtuesit e klubit duhet ta dijnë se futbolli luhet edhe për tifozë” – shtoi ai.
Isufi tha fjalët e tij më të mira edhe për “Intelektualët”.
“’Intelektualët’ kanë qenë pranë klubit, kanë qenë unik. Kanë qenë pranë klubit në kohë shumë të vështirë, si në barazh, si në luftë për titull.” – tha ai.
Analisti i emisionit “Kampionët”, kishte disa fjalë të mira edhe për pronarët e klubit të Dritës.
“Prej ardhjes së dy presidentëve, Drita ka qenë një shembull, ka një organizim e menaxhim shembullor për klubet e tjera” – përfundoi ai.