
Është arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj.
Prokuroria e Gjykatës së shkallës së parë në Tiranë, njofton se sot në me kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, u realizua ekzekutimi i letërporosisë për dhënien e ndihmës juridike Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, për llogari të procedimit penal në ngarkim të shtetasit D.G., për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.
“Është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj shtetasit D. G., me qëllim ekstradimin, si dhe është ushtruar kontroll në vendin e banimit të tij”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Gjykatës në Tiranë.
Sipas, gjykatës, këto veprime procedurale janë kryer në përmbushje të dhënies së ndihmës juridike, për shkak se Gjykatësi i vetëm kishte lëshuar fletë arrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta (‘shteti pritës’). Gjithashtu, Gjykatësi i vetëm autorizoi kontrollimin e z.D.G., të vendit të arrestimit dhe të vendit të banimit te tij, si edhe sekuestrimin e materialeve gjate kontrollimit të tyre (‘Urdhri për Autorizimin e Kontrollimit dhe Sekuestrimit’).
“Gjykatësi i vetëm ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se shtetasi D.G., mban përgjegjësi penale për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, konkretisht për frikësim gjate procedurës penale dhe pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht në bazë të nenit 387 dhe nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 (Ligji nr. 06/L-074), sikurse përcaktohet në nenin 15(2) të Ligjit. Në vijim do të realizohet procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi për në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Gjykatës në Tiranë.