
Prokurori i Specializuar Joshua Hafetz ka vijuar paraqitjen e argumenteve në deklaratat përfundimtare në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe bashkakuzuarve të tjerë, duke pretenduar se Thaçi u jepte udhëzime të bashkakuzuarve lidhur me dëshmitarët.
Sipas Prokurorisë, të bashkakuzuarit duhej të vepronin në përputhje me kërkesat dhe udhëzimet e Thaçit.
“Duhet të thonin e të bënin atë që donte Thaçi. Të gjitha argumentet e mbrojtjes që nga fillimi e kanë shmangur këtë realitet të thjeshtë”, ka thënë ai.
Prokurori ka pretenduar se mbrojtja, përmes argumenteve të saj, po përpiqet ta largojë vëmendjen e gjykatës nga faktet e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.
“Me fjalë të tjera, ta shpërqendronin në mënyrë të vazhdueshme gjykatën. Mbrojtja do që kjo gjykatë ta fus kokën në rërë dhe të mos shohë atë që është para syve, por nuk mund t’i fshehësh faktet në këtë çështje gjyqësore”, u shpreh prokurori.
Prokurori ka folur edhe për incizimet e realizuara brenda Qendrës së Paraburgimit në Hagë, ku Thaçi mbahet i ndaluar.
“Veprimtaria penale është incizuar brenda qendrës së paraburgimit, ku Thaçi mbahet i ndaluar konkretisht sepse vendimet e vazhdueshme gjyqësore konstatuan se ai ishte i rrezikshëm për ndërhyrjen e dëshmitarëve dhe mund të pengonte procesin gjyqësor”, tha ai.
“28 orë incizime të z. Thaçi, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta në periudhën katërmujore, përfshirë pesë vizita ku Thaçi ka folur me të bashkakuzuarit në këtë çështje gjyqësore”, u shpreh ai.
“Përmbajtja e incizimeve është tronditëse për Thaçin dhe bashkë të akuzuarit. Thaçi, vizitë pas vizite, ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet t’u thonin vizitorët dëshmitarëve”, tha prokurori i ZPS-së.