Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dyshohet se po përgatisnin sulm terrorist, një kosovar në mesin e grupit që po e hetojnë autoritetet gjermane

Gazeta10
31 October 2026 - 17:49

Gazeta gjermane BILD raporton se një 23-vjeçar nga Unna, i cili ishte në përgatitje profesionale për punë në kompaninë hekurudhore Deutsche Bahn, është arrestuar nën dyshimin për planifikimin e një sulmi terrorist.

Sipas raportimit, ai dhe një 19-vjeçar nga Hagen dyshohet se gjatë muajit shtator kishin diskutuar mundësinë e kryerjes së një sulmi dhe sigurimin e armëve të luftës. Bëhet fjalë për dy pushkë automatike të tipit AK-47 (Kallashnikov), të cilat dyshohet se kishin planifikuar t’i siguronin për nga 1.000 euro secilën. Më 1 tetor, forcat speciale gjermane bastisën disa banesa në Unna dhe Hagen, por nuk gjetën armë.

Sipas BILD-it, autoritetet e sigurisë kishin qenë duke i monitoruar dy të dyshuarit dhe kishin përgjuar bisedat e tyre. Objektivi konkret i sulmit ende nuk dihet, ndërsa gjatë diskutimeve dyshohet se ishin përmendur si mjete të mundshme sulmi thika, vetura apo armë zjarri.

Prokuroria e Përgjithshme në Düsseldorf ka konfirmuar akuzën ndaj 23-vjeçarit, i cili ndodhet në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes. Sipas informacioneve të raportuara, ai është shtetas gjerman dhe dyshohet se ishte konvertuar në Islam dhe ishte radikalizuar gjatë dhjetë muajve të fundit.

Ndërkohë, 19-vjeçari Adnan R. nga Hagen, i cili ka shtetësi gjermane dhe kosovare, është gjithashtu nën dyshime, por nuk është dërguar në paraburgim, pasi autoritetet nuk kanë konstatuar arsye ligjore për një masë të tillë. Ai mund të lirohet së shpejti. Në kuadër të hetimeve ishin përfshirë edhe dy shtetas sirianë, 20 dhe 24 vjeç, por ndaj tyre deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë, pasi nuk janë siguruar prova për përfshirjen e tyre.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.