Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

E dënuara me vdekje e cili mbijetoi pas dy injeksioneve vdekjeprurëse, ndodhet në gjendje kritike

Gazeta10
02 October 2026 - 8:10

Christa Pike (50 vjeçe), e dënuar me vdekje në shtetin amerikan të Tenesit, ndodhet në gjendje kritike në spital pasi i mbijetoi dy përpjekjeve të njëpasnjëshme për ekzekutimin e saj me injeksion vdekjeprurës.
Ky incident i jashtëzakonshëm e ka detyruar Guvernatorin e Tenesit të pezullojë urgjentisht të gjitha ekzekutimet e planifikuara për pjesën e mbetur të vitit.

“Nuk kemi shumë informacione për gjendjen e saj shëndetësore për momentin, por dimë që ajo është gjallë,” tha avokati i saj, Randy Spivey, duke theksuar se mbrojtja tani po kërkon zbutjen e dënimit të saj.

Pike u dënua me vdekje në vitin 1996 për vrasjen brutale të 19-vjeçares Colleen Slemmer – një krim që ajo e kreu në moshën 18-vjeçare së bashku me të dashurin e saj të asaj kohe, Tadaryl Shipp.

Përpjekja për ekzekutim u krye të mërkurën, pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së hodhi poshtë në momentet e fundit apelimet e mbrojtjes. Megjithatë, vetë procesi degradoi në kaos.

Sipas avokatit të saj, ekipi i ekzekutimit shpenzoi një orë të plotë duke u përpjekur të vendoste një linjë intravenoze.

“Numërova të paktën shtatë gjilpëra të përdorura vetëm në krahun e saj të majtë; njëra prej tyre dukej e përkulur kur u hoq,” tregoi Spivey.

Edhe pse iu administruan dy doza të anestetikut të fuqishëm pentobarbital, Pike vazhdoi të merrte frymë. Dëshmitarët u mbajtën në një dhomë të errët pas një perdeje të mbyllur, pa asnjë informacion mbi atë që po ndodhte, dhe më pas e dënuara u transportua në spital me ambulancë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
02 October 2026
Lajme
02 October 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.