Në kryeqytet sot ka filluar mësimi tërëditor edhe në dy shkolla, në shkollën fillore të mesme të ulët “Faik Konica” dhe atë “Xhemajl Mustafa”.
Fillimin e procesit të ri e panë nga afër edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetarja e njëherësh drejtoresha e Arsimit në këtë komunë Jehona Lushaku Sadriu.
Gjatë vizitës në shkollën “Faik Konica” Rama ka thënë se ky sistem i ri po shfrytëzohet në mënyrë që nxënësit të kenë mundësi të lexojnë dhe kuptojnë mësimet më mirë dhe edukata të jetë në nivel.
Ndërsa, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu është shprehur se kio është bërë me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit në Kosovë.
“Kjo është një lloj përmbushje e një mësimi më funksional të fëmijëve dhe planifikimit të prindërve, por njëkohësisht është bërë me qëllime më të mira që ngritja e cilësisë në arsim të ndodh pjesërisht në qendër të Prishtinës. Po e shndërrojmë shkollë, në një vend lumturie krahas një vendi ku edhe aplikohet mësimdhënia me metoda bashkohore”, ka theksuar ajo.
Po ashtu profesori i biologjisë Besnik Shabihu ka shtuar se aktivitetet janë kreativë e jo shabllon, prandaj sipas tij, fëmijët nuk do ta ndjenjë lodhjen.
“Është dita e parë, po shihet një entuziazëm, një energji ndryshe e fëmijëve. Duke dalë prej sistemit që kemi kalua ne si gjenerata, është diçka e re. Do të kenë mundësi përmes lojërave të jenë më afër mësimeve. Për shkak që aktivitetet janë atraktive, fëmijët nuk kanë me ndje fare lodhjen. Po të kishin qenë shabllon në formën tradicionale, po besoj se do të ishte e lodhshme”, ka shtuar ai./KP