Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Ende nuk janë identifikuar të dyshuarit për vrasjen në Runik të Skenderajt

Gazeta10
01 September 2023 - 23:16

Në orët e para të datës 10 gusht Negjmedin Loshi, 39 vjeç, mbet i vrarë pas disa të shtënave me armë zjarri në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt. Krimin dyshohet se e kryen persona të maskuar, të cilët akoma nuk janë identifikuar.

Rreth orës 01:21, më 10 gusht, Policia ka pranuar informata për të shtëna me armë zjarri në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe mjekësore. Nga këto të shtëna me armë zjarri ka vdekur një person dhe tre të tjerë janë lënduar. Disa orë pas vrasjes u bë i ditur identiteti i të vrarit – Negjmedin Loshi, 39 vjeç.

Këto informacione i ka dhënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, në ditën që ndodhi vrasja, i cili tha se është duke u punuar intensivisht në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Nga hetimet  e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes,  dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri  kanë shtënë  me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë  gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Hetuesit e Sektorit Rajonal, janë duke punuar intensivisht për  identifikimin  dhe arrestimin e kryesit/ve  të veprës  si dhe zbardhjen e  kësaj vepre penale”, kishte deklaruar Zahiti për Express më 10 gusht.

Mirëpo, ende nuk janë identifikuar të dyshuarit. Kështu thanë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës të enjten në një përgjigje për Gazetën Express.

“Deri tash nuk është identifikuar dhe as arrestuar ndonjë person i dyshuar për këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Dëshmitari Musa Gashi, i cili ndodhej brenda lokalit në momentin kur ndodhi sulmi, kishte thënë se ka parë vetëm njërin prej tyre. Sipas tij, ky i dyshuar kishte gjuajtur me rreth 50 plumba për 10-15 sekonda.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.