
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që deri më 2 maj, Kosova të ketë propozim konkret për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
I dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i detyron të dyja palët që ta zbatojnë atë.
“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”.- Gabriel Escobar – I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor
Kërkesës së Escobarit, i është përgjigjur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjfuca, duke thënë se Kosova nuk ka asnjë obligim për formimin e Asociacionit pa njohje de facto nga Serbia.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se thirrjet e vazhdueshme për krijimin e Asociacionit janë si rezultat i gabimeve dhe paaftësisë së qeverisë Kurti.
Kurse, njohës të këtij procesi thonë se palët po përplasen për kalendarin e zbatimit të marrëveshjes e dakorduar në Ohër një muaj më parë dhe se duhet të rritet presioni ndërkombëtarë ndaj Serbisë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër dhe për këtë tashmë Bashkimi Evropian ka themeluar komitetin ekzekutiv mbikëqyrës.
Më 2 maj, është caktuar takimi i ardhshëm në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.