
Të mërkurën në “Politiko” është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë bojkotimin e seancës nga mazhoranca, aksionin e opozitës, si dhe përgjimet e publikuara të Kusari-Lilës dhe Mihalit, teksa të ftuar kanë qenë deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj përballë analistëve Shqipe Pantina, Halil Matoshi, Blerim Gashi, Krenar Shala dhe Adrian Çollaku.
Qëndrime të ndryshme janë dhënë sa i përket aksionit që mori opozita, e cila në mungesë të mazhorancës dhe mostransmetimit të seancës në RTK, u nis drejt televizionit publik.
Megjithatë mospjesëmarrjen e Vetëvendosjes në debatin e thirrur të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, deputeti i VV-së, Arbër Rexha në “Politiko” e arsyetoi me faktin se nuk duan të marrin pjesë në debate kur ka linçime dhe piskama.
“Ne nuk marrim pjesë në debate kur kemi të bëjmë me piskamë, situata, linçime”, tha Rexha i VV-së.
Porse kjo përgjigje e ka “acaruar” analistin dhe njëherësh gazetarin Halil Matoshin, i cili ia ka kujtuar përgjegjësinë që e ka mazhoranca lidhur me pjesëmarrjen në kuvend.
“Mu s’m kanë votu, po ty o Zotni. Ty të detyron vota me shku në séance”, i është kundërpërgjigjur Matoshi, i cili postjerash e ka quajtur “mashtrues” deputetin e VV-së, pasi ky i fundit mohoi se qeveria e ka pranuar asociacionin.
Teksa Rexhaj mohonte disa nga kritikat që i bëheshin qeverisë, analisti politik, Adrian Çollaku gjithashtu ka shpërfaqur edhe fakte rreth koordinimit të mazhorancës me Listën Serbe, duke ia rikujtuar deputetit të VV-së se në ligjin për pagën minimale kanë qenë pikërisht ata dhe Lista Serbe që i kanë lënë veteranët jashtë këtij ligji.
Nga ana tjetër, “kunja” për mospjesëmarrjen e VV-së në seancën parlamentare ka pasur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka thënë se mazhoranca po i shmanget seancave pikërisht për shkak të skandaleve të qeverisë.
“Edhe në të kaluarën ne kemi pasur një shumicë arrogante me ministra arrogantë që nuk kanë ardhur në Kuvend që t’i përgjigjen pyetjeve të deputetëve. Unë kam harruar kur e kam parë kryeministrin Kurti të ketë ardhur në kuvend që t’iu përgjigjet shqetësimeve të cilat i kanë qytetarët, prej inflacionit, pagave, policëve e ushqimit të ushtarëve të Kosovës”, ka thënë Deliu-Kodra.
Porse deklarimet e saj janë kundërshtuar edhe nga panelistët.
Analisti politik, Krenar Shala ka kritikuar Deliu-Kodrën, teksa ka thënë se opozita po i ekzagjeron disa tema politike në vend.
Ai në debat e sipër i është drejtuar deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodrës se “opozita po e bën mizën buall”.
“Shkoni e akuzoni Mimoza Kusari-Lilën me të drejtë se ka folë me Radojçiqin, po kur e kqyri çka ka fol, ajo kurgja s’ka fol. A e ka nda Kosovën? A ka ba naj tender për me ndërtu një fabrikë me korrupsion a krim të organizum? Masnej e këqyrim Dejona Mihalin me Krasniqin, po çfarë krimi ka bo ajo, që i ka thanë mos e nal rrymën?”, tha Shala në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Megjithatë, Deliu-Kodra e ka kundërshtuar Shalën, duke i thënë se problemi qëndron tek fakti se VV po komunikon me lehtësi me Radojçiqin, përkundër që ai është në listën e zezë të SHBA-ve.
E debate të forta janë zhvilluar edhe mes Deliu-Kodrës dhe analistit Blerim Gashi, i cili ka shtruar disa pyetje thumbuese lidhur me siç e quajti ai, keqqeverisjen e kaluar të PDK-së.
Gashi e ka pyetur Deliu-Kodrën se ku është dallimi mes Dejona Mihalit dhe Adem Grabovcit, pasi sipas tij, edhe në të kaluarën janë kryer vjedhje e korrupsion.
“Cili është qëndrimi politik, kur thua se një joqeveritare, në këtë rast një sekretare organizative Dejona Mihali po kyçet në mikromenaxhim të ndërmarrjeve, kur mbamendja politike na thotë se ju edhe tek korrili i shkollës keni shku kur keni udhëhequr”?, ka pyetur Gashi.
Në ndërkohë komente për koordinatoren e VV-së ka pasur edhe ish-deputetja Shqipe Pantina, e cila ka treguar për mënyrën se Mihali funksiononte derisa ajo ishte në VV, teksa Mihalin e ka quajtur si “shërbyesen më të devotshme të partisë dhe Kurtit”.
“Dejona i ka thirr në telefon deputetët e iu ka kallëzu ça me bo. Tash disa e kanë leju, e disa jo”, tha Pantina në “Politiko”. /Gazeta10/