
Moderatori i emisionit Adresa, Arben Ahmeti, ka ndarë një histori prekëse për një ndjekës të rregullt të televizionit Kanal10, i cili për vite të tëra u dërgonte mesazhe stafit duke vërejtur me saktësi çdo detaj të programacionit.
Ahmeti tregoi se fillimisht mesazhet vinin nga një profil i një burri në moshë të pjekur dhe se ishte habitur nga niveli i detajeve që përmbanin ato.
“Ishte një profil i një zotërie bukur në moshë të pjekur. Nuk dukej se ishte profil fake. Na kishte shkruar për muaj të tërë në detaje. Na e tërhiqte vërejtjen sa minuta po vonohet Adresa, sa po vonohet Politiko, 10×10, cila reklamë nuk po shkon në cilin bllok. Na shkruante në detaje që as unë nuk i kam si statistika”, rrëfeu Ahmeti.
Sipas tij, ajo që e bënte edhe më të pazakontë situatën ishte fakti se personi vërente me sekonda dhe minuta çdo ndryshim në transmetim.
“Natyrisht se nuk ishte e zakonshme me e pa se si dikush me sekonda e minuta e sheh kur nuk është shfaqur një reklamë në kohën kur do duhej të shfaqej. Profili ishte real, një zotëri rreth të 50-ave”, tha ai.
Pas disa përpjekjeve për të kuptuar se kush qëndronte pas mesazheve, Ahmeti mori një përgjigje që e emocionoi.
“Me falni, e kam djalin me autizëm. Është fans i kanalit tuaj, e shikon çdo ditë në çdo rrethanë dhe ai shkruan”, ishte mesazhi që mori nga prindi i tij.
Duke iu referuar djaloshit, Ahmeti shprehu mirënjohje dhe respekt për vëmendjen e tij të jashtëzakonshme ndaj detajeve.
“Faleminderit Dior që e bën punën time më mirë se sa unë dhe se sa të gjithë këtu”, u shpreh Ahmeti.