
Raporti: Kanal0
Miratimi i plotësim ndryshimit të Ligjit për tatimin në pronë, po vlerësohet se do t’i dëmtojë komunat me miliona euro. Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, komunat presin që të kompensohen për humbjet që do t’i pësojnë me faljen e 100 eurove në bazë të këtij projektligji.
Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se me Ligjin për tatimin në pronë, me të cilin, qytetarëve iu zbriten faturat deri në 100 euro për vitin 2023, humbin dhjetëra miliona euro.
Prandaj, nga ky Asociacion kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i kompensojë ato komuna që prekën nga ky projektligj.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit te Komunave te Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se miratimi i Ligjit për tatimin në pronë, do t’i dëmtojë jashtëzakonisht shumë, komunat.
Ibrahimi deklaroi se Qeveria e miratoi këtë ligj pa u konsultuar me komunat e Kosovës, veprim ky që thotë se nuk ka ndodhur asnjëherë me qeveritë e kaluara.
Ibrahimi foli edhe për mosekzekutimin e mjeteve për kompensim të dëmeve nga reshjet e shiut të muajit janar, ku përmendi dëmet miliona euro në komuna të ndryshme.
Kuvendi më 27 korrik ka miratuar ndryshimin e Ligjit të ri për tatimin në pronën e paluajtshme, i cili parasheh mundësinë për të përfituar nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në 100 euro, lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore, kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024 dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.