
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që femicidi të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës, si dhe të krijohet një mekanizëm për monitorimin dhe analizimin e rasteve të vrasjeve të grave.
Këto kërkesa u paraqitën gjatë protestës me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare”, e cila nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe përfundoi para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku u mbajtën edhe fjalimet e aktivisteve.
Protesta u organizua në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe në fillim të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Aktivistja Zana Hoxha tha se kërkesa e parë është që femicidi të përcaktohet si vepër e veçantë penale, në mënyrë që vrasjet e grave për shkak të gjinisë së tyre të emërtohen dhe hetohen në këtë kontekst.
“E para kërkesë është që femicidi duhet të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës. Pra, femicidi duhet të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës. Femicidi urgjencë kombëtare! Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet me e emërtuar atë vrasje si femicid. E hetimi duhet me u kthyer te krejt çka i ka paraprirë asaj vrasjeje. A ka pasur dhunë? A ka kërcënuar dikush? A ja ka kontrolluar lëvizjet, telefonin, paratë? A ka përndjekur kur ajo ka vendosur me u larguar? A ka kërcënuar se ka me ja marrë fëmijët? Motivi gjinor dhe krejt historia e dhunës duhet me u hetuar që në fillim”, tha ajo.
Hoxha kërkoi edhe krijimin e mekanizmit “Femicide Watch”, përmes të cilit do të monitoroheshin dhe analizoheshin rastet e vrasjeve të grave, përfshirë edhe ato të viteve të kaluara, me qëllim të identifikimit të përgjegjësive institucionale dhe mundësive të humbura për parandalimin e tyre.
Ndërkaq, përfaqësuesja e RrGK-së, Besarta Bresnica, në emër të rrjetit dhe 108 organizatave anëtare, kërkoi nga institucionet që femicidin ta trajtojnë me urgjencën dhe seriozitetin e nevojshëm.
“Në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe 108 organizatave tona anëtare, sot kërkojmë që institucionet e Republikës së Kosovës ta trajtojnë femicidin me urgjencën dhe seriozitetin që kërkon”, tha ajo.
Bresnica përmendi edhe rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për reagimin ndaj raportimeve dhe kërkesave të saj për mbrojtje..
“Prandaj, sot kërkojmë që institucionet e Republikës së Kosovës të sigurojnë financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet e mbrojtjes së grave nga dhuna”, tha ajo.
Në protestë morën pjesë edhe qytetarë, të cilët shprehën mbështetje për kërkesat e aktivisteve.