Në 2 qershorin e vitit 1982 ish-minatori invalid, Ferat Muja, ishte nisur për në qytetin e Vushtrisë, i shoqëruar nga djali Xhaferi si dhe nga nipi i tij Safet Sinani, derisa po kalonte rrugën këmbësore të fshatit Gojbulë në drejtim të tij ishte vërsulur i riu Danillo Milinçiq, raporton Gazeta10.
Millinçiq e kishte sulmuar me shati duke e lënduar rënd në bark. Ferat Muja në përpjekje për të shpëtuar jetën e tij, nxjerr revolen, (edhe atë me bark të shyqer nga shati i Danillos) dhe vret sulmuesin.
Pastaj Muja ishte kthyer në shtëpi, kishte marr pushkën dhe ishte larguar nga shtëpia. Nuk kishte vonuar dhe policia e kishte rrethuar shtëpinë e tijë në Samadrexhë.
Me premtime të rrejshme, i kishin kërkuar që të dorëzohej.
Pas disa orësh, eprorët shqipfolës të kësaj policie kishin arritur që ta bindin familjen e Feratit se dorëzimi i tij nuk do të kishte pasoja. Madje një epror i kësaj policie, Ismet Tërstena, kishte garantuar se për vrasjen në vetëmbrojtjeje, Ferati nuk do të dënohej më shumë se shtatë vjet burg. Këto premtime bëjnë që Ferati të dorëzohet, mirëpo së shpejti bindet se e kishin mashtruar.
Ky akt u përdor nga propaganda shtetërore jugosllave e dirigjuar nga sigurimi shtetëror i udhëhequr nga Serbia, si “akt irredentist” kundër serbëve.
Në mbrëmjen e 16 prillit të vitit 1984, policë, gardianë dhe zyrtarë të Gjykatës së Qarkut e të burgut në Mitrovicë, shkojnë te shtëpia e Ferat Mujës dhe e njoftuan familjen e tij se do të mund të shiheshin për herë të fundit me të.
Me këtë aktakuzë të prokurorit, Kapllan Baruti, dhe kundërshtuesi i aktakuzës, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati i njohur Bajram Kelmendi, në një gjykim krejtësisht lojë politike, kryetari i Trupit Gjykues të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Ismet Emra, shqiptoi dënimin me vdekje për Ferat Mujën.
Më 27 Korrik 1982 Ferat Muja (1936), nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë, dënohet me pushkatim sepse ai në vetëmbrojtje kishte vrarë Danillo Milinqiqin, serb nga fshati Gojbulë,i cili së bashku me të ëmën vite më parë kishte mbytur dhe babain e vet.
Vrasja u kualifikua si vepër me motive nacionaliste e irredentiste kundër popullit serb. Procedura u përgatit brenda 36 ditësh, gjë që ishte rast unikat në praktikën e gjyqësisë së atëhershme jugosllave. Gjykimi u organizua në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë.
Fjalët e para të Feratit, drejtuar së ëmës ishin: “Nënë, mos qofsha djali yt, nëse derdh lot për mua!”.
Familja kurrë nuk e mori vesh ku u pushkatua anëtari i familjes së tyre. Por, dyshohet se pushkatimi i Ferat Mujës u bë në Gërmi të Prishtinës, tek vendi ku tashmë njihet si ndërtesa e Qendrës protokolare, por që kurrë nuk u vërtetua.
Sipas foto-reporterit Iliaz Bylykbashi, sot e asaj dite nuk dihet asgjë për varrin e Ferat Mujës./Gazeta10
Foto-ⒸIlaz Bylykbashi