
Kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryetar të komunës në Vushtrri, Xhafer Tahiri përmes një videoje të postuar në rrjetin e tij social Facebook, ka bërë një pyetje publike për kryetarin e tanishëm dhe kandidatin për kryetar komune nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferit Idrizin.
Tahiri me fakte ka treguar disa të dhëna të marra nga Agjencia Antikorrupsion në lidhje me deklarimin e pasurisë së kryetarit të tanishëm të PDK-së, Ferit Idrizin.
Tahiri tregoi para ekranit se pasuria e Ferit Idrizit të cilën e kishte deklaruar gjatë këtij viti, për vitin 2024 ishte 51 mijë e 180 euro para të gatshme në llogarinë e tij bankare, ndërsa në vitin paraprak ai kishte deklaruar vetëm 7 mijë e 649 euro para të gatshme. Ai tha se pasuria e tij vetëm para kesh në llogari bankare është rritur më shumë se 40 mijë euro, shkruan Gazeta 10.
Tahiri gjithashtu me një tjetër dokument, shpalosi edhe të hyrat e Ferit Idrizit dhe familjes së tij, të cilat përfshihen në një shifër prej 26 mijë e 28 euro për vitin 2024.
Xhafer Tahiri tha se këtu ka një shpërputhje të madhe të deklarimit të pasurisë dhe kryetari nuk ka deklaruar se është ndonjë gabim teknik apo ndonjë problem tjetër, shkruan Gazeta 10.
Pas këtyre deklarimeve të tij, Tahiri tha se Idrizi po mungon gjatë debateve për Vushtrrinë, andaj kam vendosur ta pyes publikisht se si u shtua pasuria e tij brenda vitit për më shumë se 40 mijë euro!
Tahiri tha se me atë pasuri të deklaruar nga të hyrat familjare të Idrizit, edhe nëse nuk do të shpenzohej as edhe 1 cent, as për rrymë e as për ujë e ushqim, e besa as edhe për karburat në veturë, nuk do të mund të ishte shuma e deklaruar e 51 mijë e 180 eurove, shkruan Gazeta 10.
E kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi nuk kishte deklaruar asnjë shitje apo diçka tjetër në mënyrë që të tregonte se nga i kanë ardhuar ato para në llogarinë e tij bankare.
Mbetet të pritet një reagim nga kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi që të tregojë rreth këtzre deklarimeve të pasurisë së tij./Gazeta10