
Raporti: Viola Korça
Deri në katër orë kanë zgjatur pritjet e mërgimtarëve për të kaluar pikën kufitare në Merdar. Me pritje të tilla, ata janë duke u përballur tash e disa ditë. Pritje e kolona të gjata ka pasur edhe në pika të tjera kufitare, veçmas te Dheu i Bardhë. Ata kanë thënë se megjithëse një situatë e tillë i mërzitë, ardhja në vendlindje do të jetë çdoherë prioritet i tyre.
Pasi i ka kryer pushimet në vendlindje, Lulzim Berisha është nisur rrugës për në Gjermani.
Por, ai duhet të presë më shumë se tri orë për të kaluar në pikën kufitare në Merdar, si pasojë e kolonave të gjata që janë krijuar ditëve të fundit.
Sikur që kishte pasur vështirësi e pritje të gjata për të ardhur në Kosovë, me të njëjtat po përballet edhe për t’u larguar nga vendlindja.
Në kolona të gjata e me orë të tëra kanë pritur edhe bashkatdhetarë të tjerë, të cilët po kthehen në vendet ku jetojnë e punojnë.
Përveç pikë kufitare në Merdar, ku pritjet kanë qenë deri në katër orë, kolona ka pasur edhe te Dheu i Bardhë, por që qytetarët nuk kanë pritur më shumë se 1 orë për të kaluar tutje.
Këto pamje në pikat kufitare zakonisht përsëriten në Kosovë gjatë sezonit të verës, si dhe pas përfundimit të festave të fundvitit, ku në hyrje-dalje krijohen kolona të gjatë si pasojë e ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje. / Kana10