
Finlanda nisi të ndërtojë një gardh prej 200 km në kufirin e saj me Rusinë, me qëllim forcimin e sigurisë. Roja Kufitare finlandeze bëri të ditur se lartësia e murit do të jetë 3 metra dhe do të ketë tela me gjemba sipër.
Finlanda ndan kufirin më të gjatë në Bashkimin Evropian me Rusinë, në 1,340 km. Aktualisht, kufijtë e Finlandës janë siguruar kryesisht nga gardhe të lehta prej druri.
Finlanda vendosi të ndërtojë gardhin për shkak të rritjes së numrit të rusëve që po ikin, duke kërkuar t’i shpëtojnë rekrutimit për të luftuar në Ukrainë. Vendi nordik, të martën, i është afruar edhe anëtarësimit në aleancën e NATO-s. Parlamenti finlandez filloi debatin për një projekt-ligj, i cili përshpejton ofertën për anëtarësim. Votimi pritet të zhvilloheët të mërkurën.
Puna për ndërtimin e murit filloi në pikën kufitare Imatra, me pastrimin e pyjeve, ndërsa ndërtimi i rrugëve dhe vendosja e murit është planifikuar të fillojë në muajin mars.
Kamerat për shikim natën, dritat dhe altoparlantët do të instalohen në pjesë të caktuara të gardhit. Një projekt pilot 3 km në Imatra pritet të përfundojë deri në fund të qershorit.
Finlanda miratoi ndryshime të reja në Aktin e saj të Rojës Kufitare në korrik për të lejuar ndërtimin e mureve më të forta. Gardhet aktuale prej druri janë kryesisht për të parandaluar kalimin e bagëtive.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, Finlanda ka kërkuar të forcojë kufirin e saj lindor. Në shtator, një numër i madh rusësh filluan të iknin në Finlandë pasi Presidenti Vladimir Putin urdhëroi një mobilizim të rezervistëve për të luftuar në Ukrainë.
Pas pushtimit rus më 24 shkurt 2022, Finlanda dhe Suedia vendosën që t’i bashkoheshin NATO-s sa më shpejt të ishte e mundur, pasi kishin mbajtur pozicion neutral për vite me radhë.
Helsinki përballet me më pak pengesa diplomatike se Stokholmi. Vetëm Turqia dhe Hungaria nuk e kanë miratuar ofertat finlandeze dhe suedeze për t’u bashkuar me bllokun e NATO-s./Gazeta10/