
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Vazhdojnë shqetësimet e qytetarëve për rritjen e çmimit te faturave për tatimin në pronë. Një mërgimtari nga Fushë Kosova, për 12 ari tokë duhet të paguaj 7 herë më shumë sesa vitin e kaluar. E ngjashëm me këto shifra po ballafaqohen edhe kushërinjtë e tij. Nga Komuna kanë thënë se presin nga niveli qëndror të bëjnë rishqyrtimin e vlerësimit të pronave.
Për këto 12 ari tokë, Bashkim Maxhuni nga fshati Miradi e Ulët e Fushë Kosovës,por që jeton në Gjermani, këtë vit duhet të paguaj tatimin në pronë, shtatë herë më shumë sesa vitin e kaluar.
Nga faturat e tatimit në pronë për vitin 2022, shihet se totali për pagesë ka qenë 15 euro, derisa për vitin 2023 kanë kap vlerën prej 108 euro.
Maxhuni thotë se toka e tij para një viti është vlerësuar 25 mijë euro ndërsa tani në bazë të pagesës shihet se ajo kap vlerën mbi 100 mijë euro.
E me të njëjtin shqetësim po ballafaqohet edhe kushëriri i tij, Besim Maxhuni i cili ka thënë se këto rritje tëvlerës pronës nuk janë të pranueshme duke pasur parasysh inflacionin në vend.
Ai ka kërkuar që institucionet përkatëse të bëjnë një zgjidhje për këtëçështje.
E nga Komuna e Fushë Kosovës kanë thënë se si komunë janë duke bashkëndjerë shqetësimin me qytetarët.
Zyrtari për media, Ali Topalli ka thënë se janë në bisedime me nivelin qendror dhe presin nga ta që të bëhet një zgjidhje.
Procesi i vlerësimit të pronave në Kosovë bëhet çdo tri vite.
Javën që shkoi mijëra qytetarë u befasuan nga fletpagesat e reja për tatimin në pronë, ku vlera e rritur për prona të caktuara arrinte deri në 700% më shumë se viti paraprak.