
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Para mijëra qytetarëve, për nderë të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kanë parakaluar njësitet e FSK-së dhe Policisë. Me këtë rast, krerët e shtetit kanë thënë se janë bijtë dhe bijat e këtij vendi, këta djem e vajza janë betuar për ta mbrojtur edhe me jetën e tyre, sovranitetin e territorin si dhe rendin e ligjin e Republikës së Kosovës. Ndërsa, qytetarë nga e tërë Kosova, nga Shqipëria e Zvicra, thanë se erdhën për ta festuar pavarësinë dhe për të parë parakalimin e ushtrisë së Kosovës.
Qytetarë të shumë nga e gjithë Kosova, por edhe vendet tjera ishin mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të festuar 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Me flamuj në dorë, bluza kapela me ngjyrat e flamurit, e këngë e valle, qytetarët po prisnin parakalimin e njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Atyre, iu bashkuan edhe liderët e institucioneve të Kosovës dhe shumë personalitete tjera.
Komandantja supreme, presidentja Vjosa Osmani, djemtë dhe vajzat e FSK-së e Policisë, e quajti pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, theksoi se ritmi i ecjes përpara, është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës.
Qytetarët me entuziazëm, me përshëndetje e duke valëvitur flamurin e Kosovës, kanë përcjellë parakalimin e pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë.
Festa e qytetarëve kishte nisur qysh nga mëngjesi.
Të veshur me veshje tradicionale shqiptare, miq e shok nga Shkodra e Shqipërisë kishin ardhur ta festonin 17 shkurtin në Prishtinë.
Shkodranët nuk ishin të vetmit që erdhën në Prishtinë. Rrugën për në Kosovë e morën edhe mërgimtarë nga Zvicra, të cilit erdhën për të festuar ditën me të rëndësishme të shtetit.
Për të mbajtur kujtime për këtë ditë, e për t’iu treguar gjeneratave tjera, ky i ri po regjistron gjithçka.
Dashurin për Kosovën po e shprehin edhe të këta të rinj përmes veshjeve të tyre.
Qytetarët kanë thënë se do të vazhdojnë festën deri në orët e vona për të shijuar pavarësinë e vendit.