
Raporti: Arbenita Ilazi / Kanal10
Flutura Gashi-Mehmeti po kërkon ndihmë për bashkëshortin e saj, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë, e i cili ndodhet për trajtim në Gjermani. Gashi thotë se për trajtimin e tij duhen shuma të mëdha, të cilat janë të papërballueshme për ta. Ajo thotë se ka kërkuar ndihmë nga Fondi për Sigurime Shëndetësore, por që nuk e ka marrë. E nga Ministria dhe Fondi, nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.
Ka disa javë që, Flutura Gashi-Mehmeti, po kërkon ndihmë për bashkëshortin e saj, që vuan nga një sëmundje e rëndë, e që aktualisht po trajtohet në Gjermani.
Keqësimi i gjendjes së tij, ka bërë që trajtimi të zgjasë edhe më shumë, e për këtë shkak edhe shpenzimet janë rritur.
Gashi-Mehmeti, thotë se deri më tani me mjete vetanake kanë arritur të mbulojnë një pjesë të shumës së kërkuar, por që tani është bërë e papërballueshme.
Ajo thotë se ende nuk dinë edhe sa do të zgjasë trajtimi.
Për të vazhduar trajtimin ajo ka kërkuar ndihmë nga Fondi për Sigurime Shëndetësore, por që të njëjtit janë arsyetuar se nuk mund të mbulojnë asnjë pjesë të shumës pa dërguar një faturë finale të trajtimit.
Kanal 10, për këtë rast, gjatë ditës së enjte ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin për Sigurime Shëndetësore, por që nuk kanë kthyer përgjigje.