
Mjetet e shumta shpërthyese, gurët e vezët në drejtim të gazetarëve ishin vetëm disa prej vështirësive që i kanë përcjell gazetarët e Kosovës gjatë raportimeve për trazirat e protestuesve serbë në veri të vendit.
Gazetarja e Kanal10, Arta Mustafa e cila i ka ndjekur zhvillimet nga komuna e Leposaviqit ka rrëfyer momente të frikshme siç thotë ajo, kur huliganë serbë kanë gjuajtur me mjete të forta shpërthyese në drejtim të tyre.
Ajo ka treguar në Prime Time se pavarësisht se ishin duke qëndruar përballë pjesëtarëve të KFOR-it, ata në asnjë moment nuk u kanë ofruar ndihmë gazetarëve.
“Ne ishim aty, përballë KFOR-it. Në momentin kur vec na sulmuan me vezë për të ndaluar raportimin. Ne nuk e ndalonim raportimin pavarësisht çfarë ndodhte. Më vonë kanë hedhur edhe gurë në drejtim tonin. Kanë ardh na kanë thënë ta ndalojmë xhirimet. Protesuesit flisnin shqip me ne. Më vonë u intensifikuan sulmet ndaj gazetarëve edhe në afërsi të KFOR-it. Ata ishin aty kur hedhnin gurë ndaj nesh, s’kishte reagime të tyre për sulmet që na u bënin neve.”, tregoi gazetarja Arta Mustafa.
Vetëm gjatë dy ditëve të protestave të dhunshme në veri, janë raportuar 15 raste të sulmeve të rënda ndaj gazetarëve të Kosovës, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK). /Gazeta10