Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gërvalla pas zgjedhjes së Presidentes: Na presin katër vjet punë për reforma të thella në drejtësi

Gazeta10
07 October 2026 - 16:32

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për emërimin e Justina Shiroka-Pulës në krye të vendit, tha se Kuvendi i Kosovës mbrëmë zgjodhi një Presidente të re, “duke vendosur në krye të vendit përsëri një grua me integritet dhe profesionalizëm të dëshmuar”.

Përmes një videoje, Gërvalla pas lëvdatave për Presidenten e re, tha se tash ka shumë punë në reformat për drejtësi, përfshirë edhe funksionalizimin Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Po tash kemi para vetes shumë punë. 4 vjet për të realizuar jo vetëm premtimet tona elektorale, por për të përmbyllur reformat e domosdoshme. Implementimi i pakos së ligjeve të reformës më të thellë dhe më të gjerë ndonjëherë në fushën e drejtësisë në vendin tonë, të cilat do ta transformojnë rrënjësisht gjyqësorin në Kosovë”, tha ndër të tjera ajo.

Postimi i plotë:

Mbrëmë, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Presidenten e re të vendit, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, duke vendosur në krye të vendit përsëri një grua me integritet dhe profesionalizëm të dëshmuar.

Po tash kemi para vetes shumë punë. 4 vjet për të realizuar jo vetëm premtimet tona elektorale, por për të përmbyllur reformat e domosdoshme.

Na pret funksionalizimi i plotë i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Implementimi i pakos së ligjeve të reformës më të thellë dhe më të gjerë ndonjëherë në fushën e drejtësisë në vendin tonë, të cilat do ta transformojnë rrënjësisht gjyqësorin në Kosovë.

Vetingu në drejtësi, i cili është i domosdoshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve.

Gjykata për Çështje Familjare; sepse prona, trashëgimia, dhuna në familje, divorci dhe alimentacioni nuk mund të presin me vite për një përgjigje nga drejtësia.

Digjitalizimi rrënjësor dhe i plotë i sistemit të drejtësisë. Nga dorëzimi online i padisë e deri te procedimi dhe zgjidhja e saj. Transparenca dhe shpejtësia janë të domosdoshme në fushën e drejtësisë.

Themelimi i Prokurorisë së re të specializuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, sepse përballë rrjeteve kriminale që cenojnë shtetin dhe rendin ligjor, edhe institucionet duhet të jenë në nivelin e detyrës.

Zyra për Hetime Disiplinore, për të rritur llogaridhënien dhe për të garantuar që shqetësimet për sjellje të papërshtatshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve të trajtohen me seriozitet, përgjegjësi dhe kontroll institucional.

Mbështetja e hetimeve dhe gjykimin e krimeve të luftës, si dhe përpjekjet për sjelljen para drejtësisë të kriminelëve që ushtruan gjenocidin e regjimit të Millosheviqit në Kosovë.

Të gjithë këta hapa dhe këto reforma do ta bëjnë drejtësinë më të fortë, institucionet më të përgjegjshme dhe qytetarin më të sigurt.

Sepse pikërisht stabiliteti institucional që kemi sot duhet të kthehet në punë, në reforma dhe në rezultate.

Urime edhe njëherë presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve! Na priftë e mbara të gjithëve bashkë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.