
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Kandidatët për kryetar të komunës në Mitrovicë të Veriut, janë shprehur optimistë se do të ketë interesim të lartë të qytetarëve, si dhe serbëve lokalë për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit. Sipas tyre, pavarësisht kërcënimeve nga Lista Serbe, serbët kanë marrë guximin për të votuar. Ndërkohë, ish-shefat e KQZ-së thonë se pavarësisht përqindjes së votuesve, zgjedhjet do të jenë legale e legjitime.
Të dielën e 23 prillit, qytetarët e të gjitha komuniteteve do të kenë mundësinë që t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e katër komunave të veriut të vendit.
Këtë të drejtë, ata kanë mundësi ta shfrytëzojnë në 19 qendra të votimit, që janë caktuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Kandidatët për kryetar të katër komunave veriore presin që të ketë pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit.
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka thënë se pavarësisht kërcënimeve të Listës Serbe ndaj serbëve lokalë, sipas tij, qytetarët nga ky komunitet janë vetëdijesuar dhe se do të dalin për të votuar.
Interesim të të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor, ka thënë se pret edhe kandidati tjetër për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani.
Ish-zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku ka thënë se e sheh si jetike mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Ish-kryeshefi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, e ka vlerësuar si hap të duhur mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe mos shtyrjen e tyre.
Sipas tij, zvogëlimi i numrit të qendrave të votimit dhe votimi në qendra alternative varësisht prej rrethanave është praktikë e kahershme ndërkombëtare.
Ai ka thënë se derisa nuk ka prag ligjor për përqindjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, ato do të jenë legale dhe legjitime.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit e Zveçan janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave, në nëntor të vitit 2022, për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe.
Këto zgjedhje ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor të vitit të kaluar, por që ishin shtyrë pas vlerësimit të situatës së sigurisë. /Gazeta10