Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Gjashtë lisat e rezistencës”, banorët fajësojnë komunën për moskujdesje

Gazeta10
20 February 2023 - 19:41

Raporti: Egzona Shala/Kanal10

Pema shekullore, e njohur si “6 lisat”, në Likoshan të Drenasit, e cila për banorët njihet si vendi i rezistencës së luftës së UÇK-së, është në prag të zhdukjes. Për shkak të qarkullimit të madh të automjeteve në atë pjesë, rrënjët e saj kanë nisur të thahen. Banorët thonë se nëse komuna nuk e bënë asfaltimin e rrugës së re dhe mbyllja e rrugës afër pemës, ajo mund të dëmtohet e gjitha. E nga komuna kanë thënë se asfaltimi i asaj rruge do të bëhet gjatë vitit 2024.

Në vendin ku thuhet se u shkrep plumbi i parë i luftës së fundit, u vendos flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me të hyrë në fshatin Likoshan të Drenasit, në sy të bie kjo pemë gjigante e cila për banorët e kësaj pjesë është simbol i rezistencës.

Por, njëri nga gjashtë trungujt e pemës që ndryshe njihet si “6 lisat” tani ka filluar të thahet.

Kjo për shkak të qarkullimit të madh të automjeteve në rrugën që është bërë e qarkullueshme shumë kohë më parë afër pemës.

Banorët thonë se komuna ka filluar asfaltimin e rrugës së re pak metra më larg pemës, por ajo nuk ka përfunduar dhe si pasojë përsëri banorët po qarkullojnë në rrugën e vjetër.

Sylë Hasani po kërkon nga komuna që të ndërmarrin masa në ruajtje të pemës dhe rregullimin e asfaltit.

E nga komuna kanë thënë se asfaltimi i asaj rruge është paraparë për vitin 2023-24.

“Drejtoria e Infrastrukturës Publike brenda viti fiskal 2023/2024 parasheh investimin e rrugicave të cilat i ka përgatitur me zhavorr nëpër fshatra ku një nder to do jetë edhe fshati Likoshan. Vlen të theksohet se drejtoria nuk ka pranuar asnjë ankesë apo kërkesë për çështje e ngritur.”

Derisa për pemën e njohur “6 Lisat” komuna ka thënë se është në kuadër të mbrojtjes së trashëgimisë natyrore.

“Në vitin 2005, ka filluar procesi që “6 Lisat” në Likoshan të hyjnë në mbrojtje të trashëgimisë natyrore, ku të njëjtës i është bërë një studim nga ekspertët e fushave për mbrojtjen e vlerave të natyrës dhe me vendim të Kuvendit të Komunës dhe me miratimin edhe të Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Natyrës në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, “6 Lisat” janë monument i mbrojtur i natyrës.”

E lidhur me këtë Kanal 10 ka siguruar vendimin dhe studimin për mbrojtjen e vlerave të natyrës, ku përmes së cilës Instituti për Mbrojtjen e Natyrës propozon ministrisë që “6 Listat” të futen në kategorinë e tretë si vlerë me rëndësi.

Por, nga Ministria përkatëse nuk kanë kthyer përgjigje se përse nuk po bëhet mirëmbajtja e “6 Lisave”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.