10 LIVE

Gjermania dhe Franca: S’ka sanksione ndaj Kosovës, por tkurrje raportesh – s’është mirë të ecet vetëm

Gazeta10
21 Qershor 2023 - 10:12

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde dhe ai i Francës, Oliver Guerot, kanë folur lidhur situatën e tensionuar në javët e fundit në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, gjë e cila ka krijuar edhe pakënaqësi mes Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë.

Ambasadori Guerot ka folur për sanksionet e mundshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke thënë se liderët evropianë i janë referuar pasojave negative.

“Jemi e kemi qenë miq që nga viti 1999, viti 2008 me njohjen e pavarësisë e kur them ne, flas për të gjitha vendet e Quint-it, vendet fqinje, brenda e jashtë BE-së, si Kroacia e Sllovenia që kanë ndihmuar shumë në këtë drejtim,në ndërtimin e shtetësisë e shërbimeve”, tha ai.

Ambasadori i Francës u shpreh se është punuar shumë në këtë drejtim dhe ka mbështetur punën e madhe të qytetarëve të Kosovës.

“Dhe jo të gjitha këto rrezikohen, por një pjesë e tyre tkurren ose mund të jenë më pak të mundshme, sepse po humbin diçka që ishte shumë e rëndësishme në marrëdhëniet tona. E kjo është dëgjimi i ndërsjellë”.

Guerot u shpreh se ata kanë dëgjuar të gjitha nevojat e Kosovës në të gjitha këto pika që ka përmendur.

“Kemi dëgjuar dhe kemi pasur përshtypjen që jemi dëgjuar edhe ne kur kemi pasur kërkesa tona. Tani në javët e fundit kemi përshtypjen se po dëgjohemi më pak e do të ishte e lehtë të kthehemi në pozitën ku dëgjohemi në mënyrë të ndërsjellë”.

I pyetur nëse ka lëkundje të partneritetit, ai tha se ka pasur momente ku ka qenë marrëdhënie më e mirë, por nuk beson se është e vështirë të kthehen në situatën që ishte më parë.

“Kemi disa hapa që duhet të ndërmerren dhe besoj se ka të bëjë me fillimin e hapave të vërtetë në fillimin e punës për ndërtimin e Asociacionit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve që pritet nga Kosova”, tha në RTK.

Në anën tjetër, ambasadori Rohde është pyetur se në cilën pikë janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë.

“Shpresojmë që Qeveria e Kosovës i dëgjon miqtë e mirë dhe nuk po flas vetëm për vendet tona që ne përfaqësojmë këtu. Liderët tanë kanë shkruar shkresa duke i kërkuar Kosovës të na dëgjojë e nuk është mirë të ecet vetëm”, tha ai.

Ndryshe, ditë më parë u raportua se BE ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Kujtojmë se tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.