Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjuajtja me vezë ndaj Kurtit, Haxhiu: Kishim informacione për plane edhe për veprime të tjera

Gazeta10
10 August 2026 - 14:42

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar nevojën e arritjes së një marrëveshjeje politike para thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë.

Ajo tha se kanë informacione se pas tensioneve në Kuvend mund të kishte edhe veprime të tjera, përtej incidentit të gjuajtjes me vezë ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Përgjegjësinë për thirrjen e seancës konstituive e ka kryesuesi i seancës konstituive. Para pak kohësh ka pasur një qëndrim të tij për shkak të zhvillimeve të fundit, tensioneve dhe përshkallëzimeve brenda Kuvendit të Republikës. Atë ditë, në seancë, e ka vlerësuar se duhet t’i jepet përparësi marrëveshjeve politike. Madje është në linjë me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që për çështjet që po diskutojmë duhet të ketë takime dhe marrëveshje politike. Ne kemi parë një pjesë atë ditë, por keni parasysh se, nga informacionet që i kemi pasur, ka pasur plane edhe për veprime të tjera. Prandaj, nuk na duhen situata tensionuese, përshkallëzimet, konfliktet fizike apo të tjera si këto”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, partitë politike duhet të ulen në tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje që do të shmangte bllokadat institucionale dhe zgjedhjet e parakohshme.

Haxhiu ka kërkuar që marrëveshja politike të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe fuqinë politike të subjekteve të dala nga zgjedhjet.

“Prandaj uroj që gjatë kësaj periudhe kohore të ketë takime sa më shumë, jo refuzime të takimeve. E përmenda edhe më herët, jo kërkesa në shpërputhje me vullnetin e popullit dhe në shpërputhje me vullnetin e popullit dhe fuqinë politike të partive politike. Të ulemi dhe të flasim për një marrëveshje që nuk çon në bllokada dhe jo në zgjedhje të parakohshme, por që çon te një marrëveshje që presidenti zgjidhet në një mandat pesëvjeçar… Shumë e rëndësishme është që të ketë marrëveshje. Keni parasysh se konstituimi i Kuvendit çon në rrjedhje të afateve dhe, nëse brenda 60 ditëve pas konstituimit nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme”, theksoi ajo.

Sa i përket pretendimeve për shkelje të Kushtetutës, Haxhiu ka thënë se për këtë çështje duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese.

“Se a është shkelur apo jo Kushtetuta, na tregon Gjykata Kushtetuese. Kushdo që konsideron që është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës mund ta delegojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Vitin e kaluar ka pasur më shumë se tri-katër herë në Kushtetuese, nëse dikush vlerëson se dikush këtu po e shkel Kushtetutën, atëherë le t’i drejtohet instancës që e interpreton veprimin tonë”, tha ajo.

Këto komente Haxhiu i bëri para gazetarëve pas takimit me bashkatdhetarë në Kuvendin e Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.