
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) ka dënuar Zvicrën për mosrespektimin e të drejtave të dy personave, të cilëve nuk iu ofrua ushqim vegan gjatë qëndrimit në institucionet shtetërore.
Njëri prej paditësve kaloi pothuajse një vit në paraburgim në një burg në Gjenevë, ndërsa tjetri u shtrua në mënyrë të detyrueshme në një spital psikiatrik në kantonin Vaud. Të dy kishin kërkuar ushqim plotësisht vegan, por kërkesat e tyre nuk u morën parasysh, transmeton albinfo.
Në vendimin e saj, Gjykata në Strasburg vlerësoi se institucionet përgjegjëse nuk arritën të siguronin ushqim që ishte në përputhje me bindjet etike të dy personave, duke konstatuar shkelje të të drejtave të tyre sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Si rezultat i vendimit, Konfederata Zvicerane është obliguar t’u paguajë paditësve gjithsej 16 mijë euro, ose rreth 14.800 franga zvicerane, si dëmshpërblim për dëmin moral.
Rasti pritet të shërbejë si një precedent i rëndësishëm për mënyrën se si institucionet publike në Zvicër duhet të trajtojnë kërkesat për dieta të lidhura me bindjet etike dhe filozofike të personave që ndodhen nën kujdesin ose mbikëqyrjen e shtetit.