Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin që mori më herët Gjykata e Apelit, e që i dha të drejtë Zyrës së Gjendjes Civile për të mos e regjistruar familjen “me të drejta të barabarta amësie”.
Në seancën e së mrëkurës ishin të pranishme edhe dy gratë, ndërsa avokatja e tyre tha se rasti do të kalojë në Gjykatën Kushtetuese, sapo të publikohet vendimi i plotë i Gjykatës së Lartë.
Beteja e tyre për të regjistruar familjen me dy nëna vazhdon tash e katër vjet.
Alba Ahmetaj tha në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 2 mars se dy fëmijët e tyre – dy vajza – janë të regjistruar në emër të Edlirës.
Alba dhe Edlira shkaktuan debate të forta në opinionin publik shqiptar, pasi më 19 maj të këtij viti organizuan një ceremoni martesore në tarracën e Bashkisë së Tiranës.
Dy ditë para ceremonisë martesore, ato dorëzuan kërkesën për shpalljen e martesës në Zyrën e Gjendjes Civile.
Dy gratë e bazuan kërkesën në nenin 53 të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili përcakton se “kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje”. Por, Kodi i Familjes e rezervon këtë të drejtë vetëm për çiftet heteroseksuale.
Alba dhe Edlira kanë njoftuar më herët se janë kërcënuar edhe me jetë.
Në mbështetje të dy grave lezbike është organizuar edhe një protestë në Tiranë, ku, veç anëtarëve të komunitetit LGBT+, kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të huaj.
Në Shqipëri, komuniteti LGBT+ kërkon prej vitesh ndryshime në Kodin e Familjes, që do të mundësonin martesat e çifteve me gjini të njëjtë dhe birësimin e fëmijëve nga to.
Shqipëria ka miratuar disa ligje kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual, por martesat brenda së njëjtës gjini nuk njihen ende. /REL