
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve me inicialet B. A. dhe S. H., të dyshuar për dy vepra penale që lidhen me narkotikët.
Sipas Prokurorisë, dy të dyshuarit dyshohet se gjatë periudhës nga shtatori 2026 deri më 16 tetor 2026 kanë vepruar në bashkëpunim në organizimin dhe trafikimin e marihuanës, me aktivitet të shtrirë në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.
Sipas dyshimeve, B. A. ishte përgjegjës për sigurimin e substancës narkotike, ndërsa S. H. për transportimin e saj. Aktiviteti dyshohet se ishte kryer me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar.
Rasti është zbuluar më 16 tetor, gjatë një kontrolli të Policisë së Kosovës në fshatin Velekincë të Komunës së Gjilanit. Në veturën e të dyshuarit B. A., në pronën e tij, janë gjetur 53.2 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Të dyshuarit ngarkohen me dyshimin për kryerjen e veprave penale të organizimit, drejtimit apo financimit të trafikimit të narkotikëve ose substancave psikotrope, si dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.