Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Gjykata vendos në favor të Klan Kosovës

Gazeta10
03 Gusht 2023 - 21:03

Raporti: Edona Osmani / Kanal10

Gjykata Komerciale në Prishtinë ka shtyrë ekzekutimin e vendimeve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila pezulloi certifikatën e biznesit, televizionit Klan Kosova. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e ka mirëpritur këtë vendim të Komerciales, të cilët vendimin për pezullim e certifikatës së Klanit, e kanë quajtur përpjekje të qeverisë për të minuar lirinë e medies në Kosovë.

Gjykata Komerciale ka shtyrë vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila javën që shkoi ia pezulloi licencën e biznesit, televizionit Klan Kosova.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Gjykata, pas padisë që ka ushtruar ky televizion, për caktimin e masës së sigurisë, ekzekutimit të vendimeve të MINT-it.

Në vendimin e tij, gjyqtari, Arnis Duman, ka vlerësuar se në rast të ekzekutimit të këtyre vendimeve, Klan Kosovës do t’i sillnin dëme të pariparueshme.

“Për ta shmangur rrezikun e dëmit që mund të i shkaktohet paditësit në rast të ekzekutimit të vendimeve të lartcekura dhe duke pasur parasysh faktin se shtyrja e ekzekutimit të tyre nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe palës kundërshtare nuk i shkakton ndonjë dëm, gjykata vendosi ta aprovoj kërkesën e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor, sipas padisë së ushtruar nga paditësi”, Gjykata Komerciale – Prishtinë.

Pas këtij vendimi të Gjykatës Komerciale, kanë reaguar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e kanë mirëpritur shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të ARK-së.  

“Vendimi i sotëm mundëson vazhdimin e operimit të punës së televizionit Klan Kosova, përkundër vendimit të qeverisë së Kosovës për ta mbyllur atë. AGK-ja, do të monitorojë nga afër procedurat e tjera në vazhdim, me shpresën që epilogu i shpejtë do të përmbyllë këtë episod të përpjekjes së qeverisë për të minuar lirinë e medies në Kosovë”, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Ndërkohë, juristja e mediave, Flutura Kusari, e ka quajtur fitore të parë, vendimin e Gjykatës Komerciale, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit.

“Fitorja e parë! Gjykata sot ka vendosur të bllokojë qeverinë në tentativën e saj që ta mbyllë Klan Kosovën. Vendimi është masë e përkohshme apo masë e sigurisë e cila është në fuqi derisa të vendoset për padinë në tërësi”, tha Flutura Kusari – Juriste e Mediave.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez tha se vendimi gjyqësor i Komerciales, mbron pluralizmin e medias dhe kundërshton përpjekjet e qeverisë për të minuar lirinë e medias.

Ndërsa ish-drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi ka thënë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka gënjyer kur ka thënë se Klan Kosova nuk i ka bërë përmirësimet e nevojshme në dokumentacion, dhe vendimi i gjykatës e vërteton këtë.

Sipas Gjykatës Komerciale, meqenëse në rastin konkret rezulton se Klan Kosova ka bërë ndryshimet në regjistrat e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese nuk bie ndesh me interesin publik. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.