
Që nga nëntori i vitit 2020, ish-krerët e UÇK-së po mbahen në Hagë nën pretendimet se kanë kryer krime lufte ndaj civilëve në Kosovë.
Lidhur më këtë temë në edicionin e sotëm të INFO10, ka folur gazetari Besian Beha i cili është marr me raportimin nga Gjykata Speciale që nga fillimi i saj.
Beha ka thënë se gjykimi ndaj ish-krerëve të UCK-së ka shumë dyshime që është një proces i padrejtë, duke krahasuar orët që ka kërkuar Gjykata Speciale në rastin e Millosheviqit dhe atë të ish-krerëve.
“Nëse e marrim një krahasim banal, në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit, në Tribunalin e Hagës ka qenë e planifikuar që të jenë 360 orë pra në rastin e ish-krerëve të UÇK-së ka dyfish më shumë kohë që po kërkon prokuroria e specializuar për ta paraqitur rastin e vet. Nëse marrim edhe aspektin tjetër janë shumë prokurorë që edhe atëherë kanë punuar në Tribunalin e Hagës edhe sot punojnë në Prokurinë e Specializuar në Hagë. Ky dallim është paraqitur edhe nga avokatët sepse është dallim i madh, ne e dimë çfarë krime janë kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe e dimë për krimet që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja. T’i kesh mbi 312 dëshmitarë në një rast ku akuzohen 4 persona për një ndërmarrje të ashtuquajtur të përbashkët kriminale, të jemi dy vite e gjysmë pas arrestimit dhe të mos ketë gjykim, kjo lë shije të keqe në opinionin e Kosovës por edhe tek avokatët e huaj me të cilat kam rastisur të komunikojë. Ka dyshime që po ballafaqohet me një proces me shumë dilema se mund të jetë i padrejtë.”, ka thënë Beha.
Tutje, Beha i ka cilësuar si interesante edhe personat që priten të japin dëshmi për krimet e pretenduara duke thënë se ish-krerët po gjykohen në Hagë për mosveprim dhe jo për veprim.
“Një statistikë shumë interesante është se prej 312 persona që pritet të japin dëshmi kundër krerëve të UÇK-së, rreth 180 prej tyre do të japin dëshmi për krimet e pretenduara dmth që pretendohet se kanë qenë subjekt i maltretimeve e vrasjeve. Pra 180 do flasin veç për strukturën e UÇK-së. Vetëm 63 do flasin për veprimet e të akuzuarve, pra vetëm ata do t’i implikojnë direkt personat e akuzuar që kanë kryer veprime ndaj personave tjerë. Pra kemi të bëjmë më shumë me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, një term që përdoret nga Gjykata Speciale dhe 4 krerët e UÇK-së më shumë se që akuzohen për veprim akuzohen për mosveprim.”, ka thënë Beha./Gazeta10