
Raporti: Blend Aliu/Kanal10
Për 100 ditë me radhë hyrje-daljet në Hotel Grand nuk kishin të ndalur.
Katet e Grandit mblodhën qindra mijëra vizitor për të parë se çka fshihej brenda mureve të kësaj ndërtese të njohur si hotel por që ka shumë vite që nuk e kryen një funksion të tillë.

Gjerman, Anglez, Italian, arkitekt, inxhinier e pasionant të artit për rreth 3 muajve përjetuan nga afër secilin detaj të kësaj bienniale të zhvendosur në Prishtinë.
Brenda Hotel Grandit vizitorët kishin mundësi të udhëtonin në të kaluarën, të ardhmen, të tashmen, në të pamundurën, realen e jo realen.
Dardan Hoti, zyrtar për media në Manifesta Biennial për Kanal10 tha se për aq sa zgjati kjo bienniale arriti t’i grumbulloj mbi 800 mijë vizita.

“Në hapësirat e brendshme, siç është Grandi dhe hapësirat e tjera të Manifestës kanë qenë rreth 150 mijë vizita, por nëse në total i mbledhim edhe instalacionet jashtë ndërtesave të mbyllura, të gjitha këto në total konsiderohen diku rreth 800 mijë vizita” – u shpreh Hoti
Përveç ekspozitave e instilacioneve, në Grand për herë të parë pas shumë vitesh u dha qasje edhe në dhomat që dikur shfrytëzoheshin për gjumë.

Biennialja e në veçanti objekti i Hotel Grandit për disa turistë nga Gjermania mbetet njëra ndër eksperiencat më të mira në vendet e Ballkanit.
“Maniefesta ishte me të vërtëtë një eksperiencë e mirë. Në njërën anë mund ta njihni Prishtinën, infrastrukturën, njerëzit dhe në anën tjetër sheh shumë art, është thjeshtë fantastike” – shtoi një turistë nga Gjermania.

Ndërkaq për një turiste tjetër nga Berlini, Manifesta e ndihmoi të largonte paragjykimet që kishte për Kosovën. Madje ajo shtoi se Prishtinën e ka vendosur në listën e vendeve që duhet t’i vizitoj sërish.

“Manifesta është thjeshtë fantastike, dëgjova që po mbahej në Prishtinë dhe erdha, në fillim nuk e dija se a duhej të vija për shkak të historisë me luftën në të kaluarën, por definitivisht duhet ta vizitoj Prishtinën sërish” – u shpreh turistja nga Berlini.

2022-ta do të mbetet viti kur objekteve të harruara e të lëna pas dore iu rikthye për 100 ditë gjallëria, krejt kjo pasi që gjatë këtij viti Biennialja Nomade Evropiane “Manifesta” zuri vend në kryeqytetin kosovar në Prishtinë.
