
“KFOR-i nuk e ka përmbushur mandatin e tij, nëse në veri ka depo të armatimit e lëvizje të armatosura të serbëve”, ka vlerësuar Halil Matoshi.
Për situatën e krijuar në veri me barrikadat e vendosura në dy pikat kufitare, Matoshi fajet ia ka hedhur presidentit serb, Vuçiq, shkruan Gazeta10.
Për një situatë të tillë, sipas Matoshit bashkësia ndërkombëtare do të duhej të ushtronte presion mbi presidentin serb.
“Ajo lëvizje paqësore ka kaluar në lëvizje të armatosur. Thuhet se ka depo të armatimeve të ndryshme. Nëse “Ujqit e natës” dhe ata “Wagner”, veprojnë ashtu, del që KFOR-i nuk e ka përmbushur mandatin e vet. Qeveria është në pozicion të palakmueshëm. Qeveria nuk ka faj që ata janë armatosur, fajet i ka Vuçiqi. Bashkësia ndërkombëtare e shtetet e QUIN-it, duhet të ushtrojnë presion mbi Vuçiqin. Në tensione të tilla, Shërbimi sekret serb prej viteve të 90-ta ka përdorur grupe të tilla, dhe gjithkund ka përdorur barrikada. Kjo nuk është e re për ne”, tha Matoshi tutje në Info10.
Ai ka shtuar se do të duhej të negociohet sa më shpejt për një marrëveshje finale me Serbinë, në mënyrë që të normalizohet raportet ndërmjet dy vendeve./Gazeta10