
Rreth orës 12:30 në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, Dan Hutra ka plagosur me armë ish-gruan Elena Hysa dhe nënën e saj Kujtime Hysa, por ai dyshohet se ka vrarë me armë zjarri edhe Mevlute Hysa, motrën e ish-gruas së tij dhe Hasime Dafku, të fejuarën e vëllait të ish-gruas.
Siç shkruan Top Channel, autori ka arritur të largohet dhe është shpallur në kërkim nga policia. Sipas policisë, ai është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.
“Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:30, në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses). Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Do të ndajmë me publikun foton e autorit të dyshuar dhe mirëpresim çdo informacion për vendndodhjen e tij. Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023. Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës”, sipas policisë.
Por, Dani ishte edhe më parë i dënuar për vrasjen e gruas së tij të parë.
VRASJA E GRUAS SË PARË NË VITIN 2007
Në vitin 2003 ai është dënuar për heqje të lirisë së nënës së kunatës së tij dhe përdhunimin e kunatës tjetër. Për këtë krim ai ka vuajtur vetëm 3 vite burg.
Pasi ka dalë nga burgu, Hutra u fejua me Dafina Havaljan të cilën më 11 Dhjetor 2007, e vrau pasi dyshonte për një tradhti.
Në Mars të vitit 2009, Hutra do të dënohej me 24 vjet burg për vrasje me paramendim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i mbetën për të vuajtur vetëm 16 vjet burg. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Hutra dhe Havalja jetonin në një banesë me qira tek Fusha e Aviacionit.
Hutra, i sapo ardhur nga emigrimi, dyshonte se e fejuara e tradhtonte. Kjo solli zënka mes tyre. Vajza telefonoi prindërit që të shkonin ta merrnin pasi nuk donte të jetonte më me të. Në këtë moment ai ka marrë thikën dhe e ka goditur në zemër disa herë, goditje këto që i sollën vdekjen e menjëhershme 22-vjeçares.
“Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia”, ka qenë telefonata që ai i ka bërë prindërve të saj./Gazeta10