
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës meritojnë rezultate konkrete, zhvillim dhe më shumë shpresë për të ardhmen e vendit.
Përmes një postimi publik, Hamza ka theksuar se PDK e kishte dorëzuar qeverisjen me Kosovën shtet të pavarur, me autostrada moderne, institucione stabile dhe partneritete të fuqishme me aleatët ndërkombëtarë.
“Shtetin e kemi ndërtuar bashkë. Kemi ndërtuar polici dhe ushtri që sot janë shembull për rajonin”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka kritikuar qeverinë aktuale për mungesë rezultatesh konkrete gjatë gjashtë viteve të fundit, duke thënë se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje për gjendjen aktuale në vend.
“Qytetarët meritojnë rezultate. Meritojnë zhvillim. Meritojnë shpresë. Koha për ndryshim është tani”, ka përfunduar Hamza në mesazhin e tij.