Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hamza takon veteranin që humbi shtatë fëmijë në luftë: Përballë sakrificës së Isak Asllanit, përçarja dhe fyerja e luftëtarëve të lirisë është turp

Gazeta10
24 May 2026 - 11:38

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video emocionuese me ish-ushtarin e UÇK-së, Isak Asllani, duke bërë thirrje për bashkim dhe ndryshim në Kosovë.

Hamza tha se historia e Isak Asllanit, i cili gjatë luftës humbi shtatë fëmijët, bashkëshorten dhe nënën, është një nga plagët më të rënda të luftës së Kosovës dhe një kujtesë e përhershme për çmimin e lirisë.

“Kur Isak Asllani flet kështu, pyetja e parë që të shkon në mendje është: si arritëm në këtë pikë? Kush e ndau kaq shumë shoqërinë tonë?”, ka shkruar Hamza.

Ai ka theksuar se në një kohë kur ish-ushtarët e UÇK-së dhe vlerat e luftës po sulmohen me gjuhë fyese e përçarëse, zëri i njerëzve si Isaku duhet të dëgjohet më shumë se kurrë.

“Sot, edhe pas gjithë asaj dhimbjeje, Isaku nuk ankohet. Ai flet me dinjitet për Kosovën dhe bën thirrje për bashkim. Kjo është madhështia morale e njerëzve që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë”, ka deklaruar Hamza.

Sipas tij, Kosova është ndërtuar mbi sakrificë dhe bashkim, e jo mbi urrejtje dhe ndarje mes qytetarëve.

“Për hir të këtyre sakrificave, e kemi obligim t’i themi STOP krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën”, ka shtuar kandidati i PDK-së për kryeministër.

Në fund, Hamza ka shprehur respekt të përjetshëm për Isak Asllanin dhe për çdo familje që, siç tha ai, i dha gjithçka lirisë së atdheut.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
24 May 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.