Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hamza viziton familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi: Nuk jeni vetëm, do të angazhohemi deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë

Gazeta10
19 September 2026 - 16:07

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar sot familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hamza ka thënë se gjatë vizitave i ka siguruar familjet se nuk janë vetëm dhe se mbështetja ndaj tyre do të vazhdojë.

“Sot isha për vizitë në familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas vendimit të rëndë, të padrejtë dhe të pabazuar në Hagë. I sigurova se nuk janë vetëm dhe se nuk do të jenë kurrë”, ka shkruar Hamza.

Kreu i PDK-së ka thënë se dhimbjen e familjeve e ndan edhe populli i Kosovës.

“Dhimbja e tyre është dhimbja jonë. Mërzia e tyre është mërzia e popullit tonë”, ka deklaruar ai.

Hamza ka theksuar se do të vazhdojnë angazhimin për drejtësi dhe për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.

“Bashkë do të qëndrojmë, bashkë do të angazhohemi dhe bashkë do ta vazhdojmë betejën për drejtësi e liri, deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë”, ka shkruar Hamza.

Ai e ka përmbyllur reagimin me fjalët: “Dje, sot dhe përjetësisht, çlirimtarë!”

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.