
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë për përjashtimin e veteranëve të luftës nga përfitimi i pagës minimale, duke e cilësuar këtë veprim si përçmim të kontributit dhe sakrificës së tyre.
Në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Haradinaj ka thënë se një vendim i tillë dërgon mesazh të gabuar për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pse u desh të liheshin veteranët e luftës jashtë pagës minimale? Pse, ku i ndihmon më shumë? Së pari, e çon një porosi në publikun tonë që nuk njihet kontributi dhe sakrifica, e dyta, imagjinoni kur t’i largon veteranët prej listës, me ndihmën e Listës Serbe”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka përmendur edhe protestën e mbajtur në Kuvend, duke thënë se në të njëjtën ditë është publikuar videoja e daljes së parë publike të UÇK-së.
Haradinaj ka theksuar se shumë veteranë vuajnë nga sëmundje dhe trauma të shkaktuara nga lufta, ndërsa ka kritikuar atë që e cilësoi si përjashtim të tyre nga përfitimet.
“A e dini që veteranët, shumica prej tyre, vuajnë nga sëmundjet, kanë trauma? Si i përjashtoni? Unë këtë e quaj lidhje të shkurtër, këtë qeverisje që e bëjnë Albini e Dejona. S’ka tjetër kush në këtë Kosovë”, ka thënë Haradinaj në Kanal 10.