
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka vizituar sot fabrikën e vetme të përpunimit të vajit “Floil” në Gjilan, ku u prit nga drejtuesë të saj dhe punëtorë.
Haradinaj tha se kompania Fluidi Group me produktet e saj ka arritur të shndërrrohet në një nga brendet kryesore të prodhuesve vendor dhe të bëhet lidere në rajon, transmeton Gazeta10.
Ai është shprehur i inkurajuar me avancimin e kualitetit të prodhimit.
“Ne kemi dëshmuar se përveç që duam, edhe dimë ta mbështesim prodhuesin vendor sepse në thelb e kuptojmë ndikimin që kanë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në krijimin e vendeve të punës. Mbetemi shumë të vendosur të jemi krah tyre!”, ka shkruar mes tjerash.
Postimi i plotë:
Fluidi Group, e themeluar tri dekada më parë si biznes familjar, me produktet e saj cilësore është shndërruar në një ndër brendet kryesore të prodhuesve vendorë.
Gjatë vizitës në Gjilan, kisha kënaqësinë të vizitoj fabrikën e vetme të përpunimit të vajit në Kosovë, ‘Floil’, që falë cilësisë dhe teknologjisë së fundit, ka arritur të jetë lidere në rajon. Nga pronari i ri Berat Mustafa u njoftova se tanimë kjo kompani ka 140 punëtorë me tendencë rritjeje, ndërkaq përpos tregut vendor produktet e saj eksportohen edhe në Evropë dhe në Amerikë.
Nga takimet me biznese të ndryshme të vendit tonë, jam i inkurajuar me avancimin e dukshëm të kualitetit të prodhimit, duke tejkaluar tregjet vendore me eksportet e tyre në Evropë e kudo në botë.
Ne kemi dëshmuar se përveç që duam, edhe dimë ta mbështesim prodhuesin vendor sepse në thelb e kuptojmë ndikimin që kanë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në krijimin e vendeve të punës. Mbetemi shumë të vendosur të jemi krah tyre!